Deputeti i Aleancës Shqiptare në Mal të Zi, Ilir Capuni, ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Capuni, nëpërmjet një postimi, u shpreh thellësisht i shqetësuar nga kjo deklaratë, duke thënë se edhe më shqetësues është fakti që, në vend të një dënimi të qartë, ajo u mbrojt nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas tij, u përpoq ta relativizonte një deklaratë të tillë, njofton Dukagjini.
“Si politikan shqiptar në Mal të Zi, jam thellësisht i shqetësuar nga deklarata e ministres Snezhana Paunoviq për kryerjen e spastrimit etnik të Kosovës. Edhe më shqetësues është fakti se, në vend të një dënimi të qartë, mbrojtja e saj u pasua nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili u përpoq ta relativizonte një deklaratë të tillë”, shkroi Capuni.
Sipas Capunit, deklarata të tilla janë dëshmi se pavarësia e Kosovës ishte një domosdoshmëri historike dhe se ato vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim te komunitetet pakicë në Serbi.
“Këto deklarata konfirmojnë më së miri pse pavarësia e Kosovës ishte një domosdoshmëri historike, por edhe pse ato me të drejtë shkaktojnë shqetësim te të gjitha komunitetet pakicë në Serbi”, tha deputeti shqiptar.
Në fund të reagimit të tij, Capuni vlerësoi se Evropa nuk ka të ardhme me politikat e viteve ’90, duke bërë thirrje që retorika e tillë të refuzohet pa asnjë ekuivok dhe të mos justifikohet apo relativizohet.
“Evropa nuk ka të ardhme me politikat e viteve nëntëdhjetë. Ka ardhur koha që një retorikë e tillë të refuzohet pa mëdyshje dhe të mos justifikohet apo relativizohet”, përfundoi ai.