Qeveria në detyrë ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Sipas njoftimi nga Qeveria, në këtë mbledhje është miratuar vendimi për emërimin e Ragmi Dalipit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, njofton Dukagjini.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat menaxhohen dhe administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Këto prona janë të nevojshme për realizimin e dy projekteve të Komunës së Gjakovës: administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës komunale, në zonën Gjakovë-Qytet, si dhe ndërtimin e fushës së futbollit dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.
Në kuadër të vendimeve të miratuara, Qeveria ka aprovuar edhe ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 11/08 të datës 3 prill 2026 për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.
Me këtë ndryshim, Ervina Gashi nga Zyra e Kryeministrit, e cila ishte zëvendësuese e anëtarit në këtë komision, zëvendësohet nga Besnike Mehmeti, po ashtu nga Zyra e Kryeministrit.