Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj hulumtimit më të fundit të organizatës CRTA dhe Democracy Action Lab të Universitetit Stanford, duke e cilësuar atë si “propagandë” dhe duke akuzuar organizatën se po përpiqet të ndikojë në vullnetin e votuesve.
Megjithatë, përtej projeksioneve zgjedhore, rezultatet e anketimit zbulojnë një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve ndaj pushtetit dhe institucioneve shtetërore.
Sipas hulumtimit, besimi në institucionin e presidentit serb ka rënë nga 60 për qind në vitin 2023 në vetëm 35 për qind në vitin 2026. Njëkohësisht, vetëm 34 për qind e qytetarëve shprehin besim ndaj Qeverisë dhe 31 për qind ndaj Kuvendit, duke reflektuar një krizë të thellë besimi ndaj institucioneve politike.
Në anën tjetër, universitetet shtetërore gëzojnë besimin e 71 për qind të qytetarëve, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe renditet e dyta me 64 për qind. Autorët e hulumtimit e lidhin këtë rezultat me reagimin e opinionit publik ndaj fushatës së pushtetit kundër universiteteve gjatë protestave studentore.
Anketimi nxjerr në pah edhe pakënaqësi të theksuar për gjendjen në vend. Mbi gjysma e qytetarëve e konsiderojnë korrupsionin një problem jashtëzakonisht serioz, rreth 60 për qind vazhdojnë të mbështesin protestat e nisura pas tragjedisë në Novi Sad, ndërsa dy të tretat kundërshtojnë përqendrimin e pushtetit në duart e presidentit pa kontroll nga institucionet e tjera.
Një tjetër tregues domethënës është orientimi i opinionit publik në politikën e jashtme. Hulumtimi tregon se një pjesë më e madhe e qytetarëve mbështet bashkëpunimin më të ngushtë me Bashkimin Evropian sesa me Rusinë, ndërsa një e katërta nuk shprehet në favor të asnjërës palë.
Po ashtu, anketa evidenton se rreth gjysma e qytetarëve nuk e dinë se kryeministër i Serbisë është Gjuro Macut, një fakt që analistët e shohin si pasojë të dominimit të figurës së presidentit Vuçiq në jetën politike dhe institucionale të vendit.