Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se forcat ukrainase kanë kryer një seri sulmesh me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave ushtarake dhe logjistike në territorin rus, në Krimenë e pushtuar përkohësisht, si dhe në Detin e Azovit dhe Detin e Zi.
Zelensky, mes tjerash, bëri të ditur se operacionet u kryen si përgjigje ndaj sulmeve ruse mbi infrastrukturën civile dhe qytetet ukrainase, njofton Dukagjini.
“Sot, sulmet tona me rreze të gjatë veprimi goditën tri zona në territorin rus, si dhe territorin tonë të pushtuar përkohësisht dhe objektiva në det,” shkroi Zelensky.
Sipas tij, ndër objektivat e goditura ishin dy objekte të rëndësishme logjistike në rajonet e Moskës dhe Tambovit, të vendosura më shumë se 500 dhe rreth 700 kilometra larg vijës së frontit.
“Ato përdoreshin nga agresori për furnizimin me komponentë të sanksionuar për prodhimin e dronëve dhe pajisje navigimi,” shkruan Zelensky.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu se është goditur edhe një objekt i industrisë së naftës, ndërsa sulmet ukrainase kanë shënjestruar edhe objektiva në ujërat e Detit të Azovit, Detit të Zi dhe në Krimenë e pushtuar përkohësisht.
Mes tjerash, Zelensky falënderoi pjesëtarët e Forcave të Sistemeve Pa Pilot, Forcave të Operacioneve Speciale, Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Inteligjencës së Mbrojtjes për, siç u shpreh ai, “ekzekutimin e saktë dhe të koordinuar të këtyre misioneve”.