Vijojnë protestat në Ukrainë, kërkohet rikthimi i ministrit të Mbrojtjes pas shkarkimit

Mijëra qytetarë u mblodhën për të dytën ditë radhazi para zyrës së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërkuar shkarkimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, pas largimit të ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.

Fedorov, 35 vjeç, i njohur për rolin e tij në zhvillimin e teknologjisë ushtarake dhe inovacionit gjatë luftës me Rusinë, nuk u riemërua në detyrë në kuadër të një riformatimi të papritur të qeverisë, duke nxitur reagime të forta në opinionin publik, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Presidenti Zelensky dha pak shpjegime për ndryshimet, por tha se ishte detyruar të ndërhynte pasi përplasja mes Syrskyit dhe Fedorovit ishte bërë aq e thellë sa, sipas tij, “ata nuk mund të uleshin më në të njëjtën tryezë”.

Të premten, Zelensky emëroi ish-ministrin e Brendshëm, Ihor Klymenko, në krye të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke zëvendësuar Rustem Umerovin.

Sipas presidentit ukrainas, Klymenko do të koordinojë “të gjithë komponentët e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes”, përfshirë edhe prodhimin e mbrojtjes.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Rustem Umerov, i cili ka qenë edhe negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet për paqe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara me Rusinë, do të marrë një detyrë tjetër.

Për të zbutur pakënaqësinë publike, Zelensky emëroi në detyrën e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, një zyrtar të lartë të sigurisë i njohur për drejtimin e operacioneve ukrainase me sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave ruse.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën slogane si “Syrskyi ik!” dhe “Kthejeni Fedorovin!”, ndërsa shumë prej tyre kërkuan që udhëheqja politike të dëgjojë zërin e ushtarëve që ndodhen në vijën e frontit.

Përplasja mes Fedorovit dhe Syrskyit doli publikisht një ditë më parë, kur ish-ministri i Mbrojtjes akuzoi komandantin e ushtrisë për sabotimin e punës së tij, duke thelluar debatin mbi drejtimin e luftës dhe reformimin e sektorit të mbrojtjes në Ukrainë.

Protesta në Ukrainë pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes, kritikët e quajnë vendimin gabim të madh të Zelenskyt

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika