Dhjetëra mijëra njerëz evakuohen nga zjarret në Francë dhe Spanjë, BE-ja dërgon ndihmë ajrore

Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, në bregdetin jugperëndimor të Francës, ndërsa qindra persona janë larguar nga zona me anije.

Dhjetëra mijëra banorë dhe turistë po evakuohen nga destinacioni turistik në perëndim të Bordosë, teksa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll atë që prefektja lokale e ka përshkruar si një “zjarr gjigant” në rajonin e Gironde, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Zjarret, që shpërthyen të martën, kanë vazhduar të digjen për disa ditë teksa sipas autoriteteve, deri tani flakët kanë përfshirë rreth 10 mijë hektarë tokë.

Ndërkohë, qeveria e Spanjës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, pasi zjarret kanë dalë jashtë kontrollit në disa zona pranë kryeqytetit, Madrid.

Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, tha se bëhet fjalë për “zjarrin më të rëndë në historinë e rajonit”.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi situatën si “dramatike”, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal. Aktualisht, tre vatra të mëdha zjarri janë aktive në perëndim të Madridit, në Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, bëri të ditur se rreth 40 mijë persona janë evakuuar ose janë në proces evakuimi nga gadishulli Cap Ferret, i cili ndodhet mes Oqeanit Atlantik dhe Gjirit të Arcachon.

Prefektja lokale Sophie Brocas tha se deri tani janë shkatërruar 53 shtëpi dhe një kamp pushimi, ndërsa falë ndërhyrjes së zjarrfikësve janë shpëtuar rreth 2 mijë banesa.

Një zyrtar lokal bëri të ditur se rreth 2 mijë të evakuuar kanë mbërritur me anije në portin e Arcachon.

Shefi i zjarrfikësve, Marc Vermeulen, tha se zjarri u përhap me shpejtësi gjatë natës së të enjtes dhe në orët e para të së premtes, çka detyroi autoritetet të urdhëronin evakuimin edhe të qytetit Arès.

Sipas tij, situata është edhe më e rëndë se ajo e vitit 2022, pasi rajoni po përballet me një thatësirë më të theksuar. Ai shpjegoi se, ndryshe nga viti 2022 kur zjarret intensifikoheshin në mbrëmje, tani ato po shpërthejnë gjatë mesnatës.

“Kur them shpërthim, nënkuptoj se për disa orë flakët përparonin me një ritëm prej 800 deri në 1.000 hektarësh të djegur në orë, në një zonë të banuar”, tha ai.

Më në jug, në rajonin francez Landes, një tjetër zjarr i madh pranë qytetit Biscarrosse, i cili shpërtheu të enjten pasdite, ka detyruar evakuimin e mbi 23 mijë personave.

Rreth 18 mijë banorë në Biscarrosse dhe 5 mijë të tjerë në Parentis-en-Born janë larguar nga shtëpitë, kampet e pushimit, një shtëpi të moshuarish dhe një kamp veror.

Prefekti i Landes, Gilles Clavreul, tha se zjarri nuk pritet të vihet nën kontroll deri në fund të së premtes, pasi erërat arrijnë deri në 50 kilometra në orë, ndërsa temperaturat variojnë nga 36 deri në 37 gradë Celsius.

Ai shtoi se deri tani janë identifikuar 105 shtëpi dhe ndërtesa të shkatërruara plotësisht ose pjesërisht nga flakët.

Gjatë natës nuk janë raportuar viktima të tjera në jugperëndim të Francës, megjithatë dy zjarrfikës humbën jetën të martën gjatë përpjekjeve për të shuar një zjarr pranë aeroportit të Bordosë.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten në mbrëmje se situata me zjarret në vend mbetet “shumë e tensionuar”, veçanërisht në rajonin e Gironde.

Bashkimi Evropian ka dërguar tre avionë dhe dy helikopterë për të ndihmuar Francën në luftën kundër zjarreve, si dhe katër avionë të tjerë në Spanjë.

Shija e redaktorit

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika