Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se procesi i votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohet në mënyrë demokratike, ndërsa ka thënë se përplasjet dhe presionet kanë ndodhur herët.
Duke folur në emisionin Debat Plus, Muhaxheri tha se duhet pritur rezultati i votimit për të parë vendimin e delegatëve të LDK-së.
“Procesi po duket demokratik, po votohet. Ta shohim tash rezultatin. Jo këtu më jo (nuk ka presion), 14 ditë kanë qenë për të bërë presion… përveç faktit që i kanë thirrur kah 5-6 herë nënshkruesit është diçka që tregon, pjesa tjetër mbetet me fol me vonë. Kur të kryhet ky proces”, ka thënë Muhaxheri.
Dega e LDK-së në Pejë, e udhëhequr nga Muhaxheri, ka qenë njëra nga degët që ka kërkuar ndryshime në udhëheqjen e partisë dhe shkarkimin e Lumir Abdixhikut pas rezultatit të zgjedhjeve të qershorit.
Nisma për shkarkimin e Abdixhikut erdhi pas pakënaqësive brenda LDK-së, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare me 18 deputetë. Kritikët e udhëheqjes së tij kanë kërkuar përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe ndryshim në drejtimin e partisë.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së po vendos përmes votimit të fshehtë nëse Abdixhiku do të vazhdojë të mbetet në krye të partisë apo nëse do të nisë procesi për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri.