Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se është në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet e Kroacisë dhe Malit të Zi për të lehtësuar kalimin e qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare gjatë sezonit turistik, për shkak të rritjes së ndjeshme të fluksit të udhëtarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë periudhave të pikut, veçanërisht në fundjavë dhe në ditët me lëvizje të lartë, në vendkalimet kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi krijohen pritje të gjata si pasojë e numrit të madh të automjeteve dhe udhëtarëve që kalojnë drejt Shqipërisë përmes këtij korridori rrugor.
Ministria bën të ditur se, së bashku me përfaqësitë diplomatike shqiptare, po mban komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të vendeve përkatëse, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përshpejtimin e procedurave kufitare.
“Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MEPJ thekson se angazhimi i institucioneve shqiptare mbetet i vazhdueshëm për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse dhe për të identifikuar zgjidhje praktike që do të lehtësojnë sa më shumë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë gjatë sezonit veror.