Kuçi: Serbia po ngre monumente për brigadat që kryen masakra ndaj shqiptarëve

Gurakuç Kuçi

Hulumtuesi i jashtëm në Institutin OCTOPUS, Gurakuç Kuçi, ka reaguar pas përurimit të një monumenti në Rashkë kushtuar Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, duke e cilësuar këtë veprim si glorifikim të një formacioni ushtarak të lidhur me krime të rënda ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Sipas Kuçit, përurimi i monumentit vjen në një kohë kur në Kosovë vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës, ndërsa Serbia, në vend që të ndihmojë në zbardhjen e fatit të tyre dhe të hapë arkivat ushtarake, nderon formacione të përfshira në masakra dhe fshehjen e trupave të viktimave.

“Ky përkujtim është shndërrim i krimeve dhe kriminelëve në një amnisti kolektive, duke dhënë mesazhin se kushdo që kryen krime kundër shqiptarëve nuk do të penalizohet nga Serbia, por përkundrazi mund të shpallet hero,” thekson Kuçi.

Ai rikujton se, sipas dokumentimit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Brigada e 37-të lidhet me vrasjen e rreth 1.400 civilëve shqiptarë në Drenicë, ndërsa dosja për ish-komandantin Ljubisha Dikoviq dokumenton shtatë raste krimesh, ku janë vrarë mbi 450 civilë.

Në analizën e tij, Kuçi përmend masakrat në Izbicë, Rezallë, Çikatovë të Vjetër, Qirez, Shavarinat, Vërboc, Baks, Studime të Poshtme, Zabel të Ulët dhe Gllanasellë, duke theksuar se një pjesë e madhe e viktimave u gjetën vite më vonë në varrezën masive të Rudnicës në Serbi.

Ai shton se dokumentet ushtarake tregojnë se Brigada e 37-të kishte rol në të ashtuquajturin “pastrim të fushëbetejës”, ndërsa trupat e viktimave u transportuan nga Kosova në Serbi për t’u fshehur në varreza masive.

“Në vend që të hapë dokumentet dhe të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Serbia i ka klasifikuar dosjet që lidhen me veprimtarinë e kësaj brigade. Pavarësisht kërkesave të Kosovës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare, ato vazhdojnë të mbahen të mbyllura,” shprehet ai.

Kuçi e lidh këtë zhvillim edhe me deklaratat e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, si dhe me mbështetjen që, sipas tij, ministri i Brendshëm Ivica Daçiq i ka dhënë asaj.

Sipas tij, këto zhvillime tregojnë se glorifikimi i krimeve të luftës dhe retorika për spastrimin etnik të shqiptarëve nuk janë incidente të izoluara.

“Pas këtyre veprimeve të hapura të Serbisë, askush nga pala serbe dhe as ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nuk mund të flasin seriozisht për pajtim apo normalizim, përderisa një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ngre monumente për kriminelët, mbron deklarata për spastrim etnik dhe refuzon të hapë arkivat për të zhdukurit,” përfundon Gurakuç Kuçi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika