Gashi: S’kërkojmë më shumë pushtet, por besim – pa marrëveshje për Kosovën, s’mund të ndërtojmë as Qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me diskutimet për një bashkëqeverisje të mundshme mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se çështja nuk duhet të reduktohet në ndarjen e posteve.

Gashi ka thënë se para se të diskutohet ndarja e pushtetit, duhet të ndërtohen besimi, siguria dhe një marrëveshje e qartë për bashkëqeverisje.

“Pushteti nuk ndahet me matematikë karrigesh. Ai ndahet pasi ndërtohen besimi, siguria dhe marrëveshja për bashkëqeverisje”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka rikujtuar bashkëqeverisjen e kaluar mes LDK-së dhe LVV-së, e cila, sipas tij, zgjati rreth 50 ditë. Gashi ka përmendur edhe shkarkimin e një ministri dhe nënkryetari të LDK-së, duke e cilësuar atë periudhë si një histori mosbesimi.

Sipas tij, para ndarjes së posteve duhet të ketë marrëveshje për çështjet kryesore shtetërore, përfshirë politikën e jashtme, dialogun dhe Asociacionin, raportet me aleatët dhe rajonin, sigurinë, ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë dhe arsimin.

“Dhe mbi të gjitha: a mund të ndërtojmë një program të përbashkët qeverisës?”, ka thënë ai.

Gashi ka folur edhe për ndarjen e përgjegjësive institucionale, duke kërkuar që ajo të jetë proporcionale me fuqinë parlamentare të partive.

Ai ka përmendur raportin prej 53 deputetësh të LVV-së dhe 18 të LDK-së, duke thënë se raporti është përafërsisht 3 me 1 dhe se i njëjti parim duhet të zbatohet edhe në ndarjen e institucioneve.

Për tri institucionet kryesore – Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit – Gashi ka propozuar që dy të jenë për forcën më të madhe dhe një për forcën e dytë.

Sipas tij, LVV-së do t’i takonte të përcaktonte se cilat dy institucione i konsideron prioritare.

Gashi ka theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te posti i Presidentit, por te mungesa e mirëbesimit dhe e një programi të përbashkët qeverisës.

“Problemi është më i thellë: mungon mirëbesimi, nuk ka ende program të përbashkët dhe dallimet në politikën e jashtme, ekonomike, sociale dhe mënyrën e qeverisjes janë të mëdha”, ka deklaruar ai.

Duke folur për Presidentin, Gashi ka thënë se kjo çështje është e zgjidhshme dhe se mund të gjendet një kandidat i pranueshëm nga deputetët.

“Presidenti nuk është dekor. Është një nga figurat kryesore të shtetit dhe duhet të ketë autoritet, përvojë, vizion, integritet dhe aftësi për ta përfaqësuar Kosovën”, ka thënë ai.

Në fund, Gashi ka shprehur skepticizëm të madh për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy partive.

“Sot duket qartë se një marrëveshje e tillë është pothuajse e pamundur. Jo sepse mungojnë karriget. Jo sepse mungojnë emrat. Por sepse mungon themeli i bashkëqeverisjes”, ka deklaruar ai.

Gashi ka paralajmëruar se një marrëveshje pa besim, program të përbashkët dhe garanci për respektimin e saj do të mund të ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme.

“Kosova nuk mund të udhëhiqet me një marrëveshje që që në ditën e parë e ka të shkruar krizën në fund. Më mirë një e vërtetë e vështirë sot, sesa një dështim i madh nesër”, ka thënë ai.

Ai e ka përmbyllur deklaratën duke theksuar se prioritet duhet të jetë ndërtimi i një marrëveshjeje për qeverisjen e vendit, e jo vetëm ndarja e posteve.

“Dhe nëse nuk mund të ndërtojmë marrëveshje për Kosovën, duhet të kemi guximin ta pranojmë se nuk mund të ndërtojmë as Qeverinë”, ka përfunduar Gashi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika