Një 25-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, në rastin që ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se rreth orës 23:20 ishte informuar për një plagosje me armë zjarri. Njësitë policore kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kishin gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur.
Të dy të plagosurit ishin dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërkohë, QKUK ka dhënë detaje.
Sipas QKUK-së, 25-vjeçarja kishte arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Personi tjetër, një 26-vjeçar, është pranuar me plagë të armës së zjarrit dhe është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë” dhe po hetohet nga organet kompetente. Për rrethanat dhe shkaqet e sakta të rastit pritet të dalin detaje të tjera nga hetimet.