Ali Ahmeti, në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, ka rrëfyer për disa prej momenteve më të rëndësishme të organizimit të lëvizjes shqiptare, raportet mes LPK-së dhe LDK-së, kontaktet me Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, si dhe procesin e unifikimit të njësive të rezistencës nën emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ahmeti tha se gjatë viteve të veprimtarisë së tij kishte pasur kontakte me shumë prej figurave të rëndësishme të lëvizjes, ndërsa tregoi se për një periudhë kishte jetuar në familjen e Sabri Novosellës.
“Unë kam banuar në familjen e Sabri Novosellës. Si student, prej fillimit deri në arratisje, kam banuar te vëllai i Sabri Novosellës, Adnani. Familje patriotësh, familje e rreshtuar historikisht në anën e duhur të kombit”, tha Ahmeti.
Megjithatë, ai sqaroi se me Sabri Novosellën nuk kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta organizative.
Duke folur për raportet mes LPK-së dhe LDK-së, Ahmeti tha se, pavarësisht dallimeve në mënyrën e veprimit, nuk kishte pasur hasmëri në nivelet drejtuese.
“Ne kemi komunikuar me të gjithë ata që drejtonin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ka konkluza në organet drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës që këta nuk janë armiq. Këta janë vëllezërit tanë dhe duhet të gjejmë urat e komunikimit dhe të afrimit”, deklaroi ai.
Ahmeti tha se nuk kishte pasur takim personal me Ibrahim Rugovën, por se përfaqësues të LPK-së ishin takuar me të dhe e kishin informuar për zhvillimet dhe organizimin e rezistencës.
“Unë nuk kam pasur takim me Ibrahim Rugovën, por të deleguarit tanë që i kam sugjeruar të takohen me Ibrahim Rugovën kanë shkuar dhe janë takuar”, tha ai.
Sipas Ahmetit, gjatë viteve ’90 kishte pasur përpjekje për bashkërendimin e veprimeve politike dhe organizative.
“Nuk ka pasur fërkime, divergjenca në mes të lëvizjes legale dhe asaj të fshehtë. Flas në nivele të larta ku janë bërë politikat”, u shpreh ai.
Ai rrëfeu edhe një bisedë telefonike me Adem Jasharin, për të cilën tha se kishte ndodhur në fillim të viteve ’90.
“Unë kam pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin, që më paraqitet prej Tiranës. Na thotë: ‘Na keni lënë në rrugë’. I them: ‘Po, përse ju kemi lënë në rrugë?’. Duhet me na dalë zot, me na pajis, me na rregullu kështu”, tregoi Ahmeti.
Sipas tij, më pas nuk pati komunikim të drejtpërdrejtë me Jasharin, por vazhduan kontaktet me bashkëluftëtarët e tij.
Ahmeti foli më tej për mbledhjen në Arau të Zvicrës, ku, sipas tij, u mor vendimi që njësitet e ndryshme të rezistencës të vepronin nën një mekanizëm të përbashkët – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ali Ahmeti: LPK-ja dhe LDK-ja nuk ishin armiq, kërkonim ura komunikimi dhe afrimi
“Ekziston, s’ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ishte momenti që duhej t’i vihej një kapak. Të gjitha njësitet, nga Rrafshi i Dukagjinit, Drenica, Llap, Rrafshi i Kosovës, duhej të vepronin nën një mekanizëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Ahmeti.
“Aty e merr emrin UÇK. Punë kolegjiale ka qenë. Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e ke si rezultat i punës, mendimit, analizës së kryesisë së atëhershme që ka qenë jashtë vendit”, shtoi ai.
Ai tregoi se përpara këtij vendimi ishin analizuar modele të ndryshme të lëvizjeve çlirimtare në botë, ndërsa theksoi se qëllimi ishte krijimi i një rezistence që të mos sillte viktima në mesin e civilëve.
“Nuk ka lëvizje që s’kemi studiuar ushtarake. Kemi ardhur në përfundim që lëvizja jonë e rezistencës nuk duhet të shndërrohet në një lëvizje të karakterit të IRA-s, të ETA-s”, deklaroi Ahmeti.
Sipas tij, analiza ishte që rezistenca duhej të përfshinte popullsinë dhe të kishte organizim më të gjerë.
“Ti e bën një aksion, po në atë aksion mund të pësojnë 10, 15 civilë, fëmijë, gra. Dhe analiza jonë përfundimtare është që ne duhet ta fusim në përplasje popullin”, tha ai.
Ahmeti përmendi edhe disa prej zhvillimeve që pasuan, duke folur për zgjerimin e njësive dhe përfshirjen e figurave të ndryshme në organizimin e rezistencës.
Ahmeti: Pos UDB-së, asnjë nuk kishte interes për vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian në përfundimin e luftës në Kosovë.
“Jemi mirënjohës një jetë të jetëve NATO-s, Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, për këtë solidaritet”, tha Ahmeti.
Në rrëfimin e tij, Ahmeti e paraqiti periudhën e viteve ’80 dhe ’90 si një proces të gjatë të organizimit, debateve, bashkëpunimit dhe konsolidimit të lëvizjes kombëtare shqiptare, i cili, sipas tij, përfundimisht çoi drejt unifikimit të njësive të rezistencës dhe krijimit të UÇK-së si një organizim i përbashkët.