Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që njëkohësisht mbajnë funksione në Qeverinë në detyrë.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili ka thënë se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga deputetët e LVV-së, sipas tij, është në kundërshtim me vendimet gjyqësore.
“Moszbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta të Kosovës është vepër penale dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme në rastin e Hekuran Muratit dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë përbën vepër të pastër penale dhe kërkohet reagimi i shtetit”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se, si pasojë e mbajtjes së këtyre funksioneve, nga Qeveria në detyrë janë shpërndarë mijëra euro, duke vlerësuar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë.