“Ora e Pritjes” vendoset në Vushtrri, numërimi deri më 16 shtator

Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur në sheshin “Adem Jashari” të Vushtrrisë “Orën e Pritjes”, një ekran që shënon numërimin e ditëve deri më 16 shtator, datë kur pritet vendimi final për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, vendosjen e orës e cilësoi si një moment të veçantë, si dhe tha se po në këtë shesh do të festohet edhe kthimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Haga.

“Vërtetë, sonte është një moment i veçantë sepse do të fillojë numërimi i orës deri më datën 16 shtator kur do të kthehen çlirimtarët, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, udhëheqësit e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Vërtetë, ishte një pritje shumë e gjatë. Ishte një pritje jo 6 vite, por 6 shekuj, sepse ishte një pritje e padrejtë. Ishte e padrejtë për shkak se çlirimtarët luftuan për ta mbrojtur vendin e vet, për t’i sjellë Kosovës lirinë dhe pavarësinë.

Nga sot do të fillojë numërimi i orës në këtë shesh të bukur, në sheshin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe po në këtë shesh do ta festojmë edhe datën 16 shtator kur do të kthehen çlirimtarët”, u shpreh ai.

Ndërsa, përfaqësuesja e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, tha se kjo orë do të jetë dëshmi e numërimit të orëve, minutave dhe sekondave të fundit deri në epilogun final.

“Shumë emocionuese me e dërgu orën e pritjes në çdo komunë, me e pa se si ecën mbrapsht deri në një ditë po ashtu të rëndësishme dhe shumë emocionale për ne pas një pritje të gjatë, tash e gjashtë vite.

“Liria ka emër” është munduar që në momentet kritike të procesit të Hagës të takojë njerëz, të bashkëbisedojë dhe të krijojë momentum për të shfaqur nevojën e njerëzve të Kosovës, popullit të Kosovës, për t’iu thënë diçka atyre në Hagë. Edhe atyre që mbahen peng tash e gjashtë vjet, por edhe atyre që e kanë udhëhequr këtë proces, që populli i Kosovës i do çlirimtarët në vendin e vet, që në emër të popullit ata duhet të jenë të lirë.

Lum ai burrë e ajo grua që i ka kapërcyer ëndrrat e veta për me luftuar për ëndrrën më të madhe që është liria e Kosovës.

Dhe për këtë ëndërr ata e kanë larë borxhin e tyre. Edhe ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që sot e bëjnë betejën e fundit, uroj të fundit, për ta vërtetuar edhe një herë që populli i Kosovës ka qenë në rrugën e drejtë.

Kjo orë do të jetë dëshmi për t’i numëruar sekondat, minutat dhe ditët deri në epilogun final për t’i pritur çlirimtarët në Kosovë dhe për ta mbyllur ciklin e kontesimit të historisë gjatë këtij periudhës së pasluftës, sepse ky nuk është rasti i vetëm”, tha ajo.

Përfaqësuesi tjetër i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, u bëri thirrje qytetarëve të Vushtrrisë që më 12 shtator t’i bashkohen marshit “Kosova po pret”, si dhe më 16 shtator, festimit të lirimit të ish-krerëve.

“Është nder me qenë në Vushtrri, në qytetin që ia di peshën lirisë, rrugëtimit tonë dhe që i ka dhënë të gjitha që të na pozicionojë ndershëm dhe dinjitetshëm brenda historisë tonë. Unë nuk po e zgjas shumë pasi që ne po flasim nga dy, me Elizën bashkë, por vetëm dua t’ju bëj thirrje që Vushtrria duhet të vijë në Prishtinë dy herë gjatë shtatorit: më 12 shtator kur mbahet marshi me moton “Kosova po pret” dhe më 16 shtator kur krejt bashkë do të festojmë për ardhjen e çlirimtarëve në vendin e tyre”, u shpreh ai./EO

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika