Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka Emër” ka falënderuar Komunën e Prishtinës, Skenderajt, Vushtrrisë, Vitisë dhe Prizrenit për bashkëpunimin dhe aktivitetet e zhvilluara.
“Falënderojmë Komunën e Prishtinës, Komunën e Skenderajt, Komunën e Vushtrrisë, Komunën e Vitisë dhe Komunën e Prizrenit, për pritjen dhe bashkëpunimin, për lansimin e orëve të numërimit mbrapsht, si dhe për aktivitetet dhe stolisjen e shesheve e qyteteve të tyre”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha ka bërë të ditur se me disa komuna të tjera tashmë janë dakorduar datat për prezantimin dhe lansimin e orëve të numërimit mbrapsht, njofton Dukagjini.
Ndërkaq, Hoxha, nga konferenca për media, u ka bërë thirrje edhe komunave të tjera që t’i bashkohen kësaj nisme.
“U bëjmë thirrje edhe komunave të tjera të Kosovës që t’i bashkohen kësaj nisme, duke vendosur ekranet me numërimin mbrapsht dhe duke stolisur hapësirat publike të qyteteve me flamujt dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo.
Hoxha, mes tjerash, ka bërë të ditur se u është drejtuar edhe komunave dhe drejtorive komunale të arsimit me kërkesën që java e parë e shtatorit t’i kushtohet UÇK-së në shkollat e Kosovës.
“Kemi kërkuar që, në kuadër të aktiviteteve edukative dhe në përputhje me kompetencat e institucioneve arsimore, nxënësve t’u flitet për historinë, sakrificën dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për lirinë e vendit”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas saj, njohja e historisë së vendit nga brezat e rinj është e rëndësishme.
“Besojmë se brezat e rinj duhet ta njohin historinë e vendit të tyre, sakrificën për liri dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës”, ka theksuar ajo.
Hoxha ka njoftuar se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në komunat e Kosovës dhe në diasporë, ndërsa do të vijojnë edhe përgatitjet për tubimin e paralajmëruar në Hagë.
“Për të gjitha aktivitetet, datat dhe lokacionet konkrete, opinioni dhe mediat do të informohen me kohë”, tha Hoxha.