Latifi kërkon mekanizëm të përhershëm për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar krijimin e një mekanizmi të qartë dhe të përhershëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Latifi këtë kërkesë e ka bërë gjatë protestës së sotme të komunave para Qeverisë së Kosovës, ku ka folur për dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe vonesat në kompensimin e qytetarëve, fermerëve e bizneseve.

Ai tha se Rahoveci është një nga komunat që është përballur drejtpërdrejt me pasojat e vërshimeve, ndërsa theksoi se dëme janë shkaktuar në shtëpi, biznese, toka bujqësore dhe infrastrukturë.

“Qytetarët e Rahovecit dhe jo vetëm të komunës së Rahovecit i kanë përjetuar në shtëpitë, në bizneset, në tokat bujqësore dhe pronat e tyre dëmet që shkaktojnë fatkeqësitë natyrore”, tha Latifi.

Sipas tij, komunat janë institucionet e para që reagojnë në raste të fatkeqësive, por kapacitetet e tyre financiare nuk janë të mjaftueshme për të përballuar dëmet e mëdha.

“Komunat nuk mund t’i kompensojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare natyrore”, u shpreh ai.

Latifi kritikoi institucionet qendrore për vonesat në kompensim, duke thënë se ka raste të dëmeve të evidentuara që nga viti 2022, të cilat ende nuk janë kompensuar.

“Kjo pritje është e padrejtë. Fermeri që humb prodhimin e një viti nuk mund të presë pafundësisht. Familja, së cilës i është dëmtuar shtëpia, nuk mund të jetojë me premtime. Biznesi që ka pësuar humbje nuk mund të vazhdojë punën pa mbështetje”, deklaroi ai.

Ai kërkoi nga Qeveria që raportet e dorëzuara nga komunat të trajtohen pa vonesa dhe të sigurohen mjetet për kompensimin e dëmeve.

“Prandaj kërkojmë nga qeveria të krijojë një mekanizëm të qartë, të drejtë dhe të përhershëm për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Kërkojmë që raportet e dorëzuara nga komunat të trajtohen menjëherë dhe të kompensohen qytetarët, fermerët, bizneset dhe infrastruktura komunale”, tha Latifi.

Gjatë fjalimit, Latifi ka ngritur shqetësime edhe për grantin e performancës komunale, duke pretenduar se nga 8 milionë euro të planifikuara për vitin 2026, komunave fituese u janë ndarë vetëm 2 milionë euro nga pjesa e financimit shtetëror.

“Pra, mungojnë 6 milionë euro të miratuara me ligj”, tha ai, duke shtuar se këto mjete janë të përcaktuara me Ligjin për Buxhetin dhe nuk duhet të trajtohen si favor i ndonjë ministrie.

Sipas Latifit, ndryshimi i shumës pas përfundimit të procesit dëmton sigurinë juridike dhe besimin institucional të komunave.

Shija e redaktorit

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

Të fundit nga rubrika