Në kuadër të ciklit të emisioneve “Dosjet” në Debat Plus me Ermal Pandurin, janë publikuar dokumente të shërbimeve sekrete shqiptare dhe jugosllave që flasin mbi rrethanat e vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, më 17 janar 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë.
Dokumentet paraqesin versione të ndryshme për mënyrën se si autoritetet e kohës e kanë trajtuar këtë ngjarje.
Në një radiogram të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të datës 18 janar 1982, ngjarja përshkruhet si atentat. Në dokument thuhet se “Dajti”, pseudonimi i Kadri Zekës, dhe vëllai i “Flamurit”, pseudonimi i Jusuf Gërvallës, ishin qëlluar me armë.
Në atë moment, dokumenti shqiptar raportonte se Jusuf Gërvalla ishte plagosur rëndë, ndërsa theksonte se rrethanat dhe hollësitë e vrasjes ende nuk dihen.
Në anën tjetër, një dokument i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav (SDB) e përshkruan vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës si një “përplasje emigrantësh”.
Ndërkohë, në dosjen e Kadri Zekës gjendet edhe një raport i bazuar në një njoftim të AFP-së nga Heilbronni, më 18 janar 1982, ku thuhet se tre shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare u vranë në Untergruppenbach “për motive politike”, sipas policisë.