Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut dëshmon vullnetin e Kosovës për Republikë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë.

Haxhiu ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit politik të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.

Sipas saj, në kohën kur Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut përbënte përgjigjen e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur për fatin e vet.

“Rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë”, ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se kjo ngjarje dëshmonte se edhe në kushtet e pushtimit dhe represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik.

Haxhiu ka vlerësuar veçanërisht punën e juristëve që hartuan dokumentin kushtetues dhe guximin e delegatëve që e miratuan atë.

“Në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se rruga e nisur me Deklaratën e 2 Korrikut dhe e konkretizuar me Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, Haxhiu ka nderuar hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që, sipas saj, në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika