Franca ka konfirmuar rastin e parë të infektimit të një njeriu me virusin Shamonda, i cili prek kryesisht kafshët blegtorale. Personi i infektuar ka vdekur në fillim të tetorit, ndërsa autoritetet shëndetësore thonë se nuk është identifikuar rrezik për shëndetin publik.
Sipas një deklarate të përbashkët të Ministrive të Shëndetësisë dhe të Bujqësisë të Francës, ky është rasti i parë i dokumentuar i infektimit të njeriut me këtë virus, pavarësisht se ai qarkullon në Afrikë dhe Azi prej disa dekadash.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast të jashtëzakonshëm, pasi personi që ndërroi jetë kishte sistem imunitar të dobësuar rëndë.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se rasti është i izoluar dhe se, bazuar në informacionet aktuale, virusi nuk pritet të shkaktojë përhapje më të gjerë.
“Bazuar në informacionet aktuale dhe njohuritë për transmetimin e viruseve të afërta, ky është një rast i izoluar te njeriu dhe aktualisht nuk pritet të çojë në përhapje më të gjerë”, ka deklaruar OBSH-ja për Reuters.
Si transmetohet virusi Shamonda?
Virusi Shamonda u identifikua për herë të parë në Nigeri, në mesin e viteve 1960. Ai bën pjesë në gjininë e viruseve Orthobunyavirus dhe prek kryesisht kafshët blegtorale, veçanërisht gjedhët.
Transmetimi bëhet përmes pickimit të insekteve të vogla gjakthithëse të gjinisë Culicoides.
Virusi është zbuluar prej vitesh te kafshët në Afrikë dhe Japoni, ndërsa gjatë vitit 2026 është raportuar edhe në disa zona të Evropës.
Sipas Ministrisë franceze të Bujqësisë, hipoteza fillestare është se infektimi ka ndodhur përmes pickimit të një insekti bartës në lindje të Francës, ku virusi ishte raportuar se qarkullonte te kafshët gjatë pranverës dhe verës së vitit 2026.
Autoritetet kanë nisur hetime biologjike, klinike dhe epidemiologjike për të sqaruar rastin, me përfshirjen e ekspertëve të shëndetit të njeriut, kafshëve dhe mjedisit.
Për rastin janë njoftuar gjithashtu Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.