Eugen Cakolli nga KDI, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye juridike apo politike që Kuvendi i Kosovës të mos konstituohet, duke vlerësuar se ekziston interes për zvarritjen e këtij procesi.
Në emisionin FIVE, Cakolli tha se thirrjet për një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit janë të pakuptimta, pasi, sipas tij, ekzistojnë votat e nevojshme që ky proces të përfundojë.
“Unë mendoj që nuk ka asnjë lloj logjike, as juridike, as politike, sepse është e qartë se çfarë është thënë në muajt e fundit, që ekziston vetëm një palë që ka interes të mos konstituohet Kuvendi, të paktën jo për sa kohë që shkuarja potenciale në zgjedhje nuk do të binte në një periudhë që sipas tyre supozohet se do të jetë më e favorshme në kuptimin elektoral”, deklaroi Cakolli.
Ai u shpreh se edhe thirrjet për marrëveshje politike nuk kanë kuptim në situatën aktuale, pasi sipas tij, konstituimi mund të bëhet me votat që tashmë ekzistojnë.
“Unë besoj që edhe këto thirrje që i pamë për marrëveshje politike janë krejt të pakuptimta. Nuk ka asnjë nevojë në këtë situatë që të ketë marrëveshje politike për konstituimin, sepse ekzistojnë votat që kjo të ndodhë”, tha ai.
Cakolli vlerësoi se zvarritja e procesit mund të ketë për qëllim shtyrjen e datës së zgjedhjeve, duke përmendur 14 dhe 20 shtatorin si data me rëndësi në këtë aspekt.
“Sipas meje, qëllimi është që të zvarritet, të paktën deri më 14 shtator, që është datë që, nëse ndodh konstituimi, do ta mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve më 27 dhjetor, e 20 shtatori si datë që e fut 3 janarin si datë për zgjedhje”, deklaroi Cakolli.
Sipas tij, në rrethanat aktuale, mbajtja e zgjedhjeve në këto data duket më e mundshme sesa funksionalizimi i plotë i institucioneve të Kosovës.