Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur sërish, pasi deputetët nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit të pesë nënkryetarëve.
Në vazhdimin e seancës konstituive të mërkurën, 9 shtator, me 62 vota për, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit. Pas marrjes së detyrës, ajo kërkoi nga grupet parlamentare të propozonin kandidatët për pesë postet e nënkryetarëve.
Kandidatët e propozuar ishin Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Emilija Rexhepi nga grupi multietnik joserb dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe.
Megjithatë, deputetët nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit. Pas një konsultimi mes grupeve parlamentare dhe një pauze, Haxhiu tha se nuk kishte pajtim dhe kërkoi nga deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, që të tërhiqte formulimin “në emër të popullit serb” nga propozimi për Slavko Simiqin.
Simiq nuk pranoi ta ndryshonte formulimin, duke thënë se propozimi ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Ndërkohë, Haxhiu deklaroi se nuk kishte vota për propozimet e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, duke iu referuar edhe qëndrimeve të deputetëve të këtyre partive ndaj kandidaturës së mundshme për president.
Pas mungesës së marrëveshjes, seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdojë të premten, më 11 shtator, në orën 11:00.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë shprehur gatishmëri që çështja të diskutohet në një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. Për këtë arsye, edhe pas zgjedhjes së Haxhiut në krye të Kuvendit, procesi i konstituimit të plotë mbetet i papërfunduar.
Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit, vazhdon të premten