Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta përmbyllë konstituimin as në seancën e 11 shtatorit, pas përplasjes mes partive për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.
Gjatë seancës, deputetët votuan me 71 vota për që kandidatët për nënkryetarë të votohen veç e veç, pasi nuk kishte dakordim për votim në pako.
Fillimisht, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 100 vota për.
Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të zgjidhet, pasi mori 44 vota për. Pas këtij rezultati, PDK-ja u ftua të propozojë një kandidat tjetër, por shumica e deputetëve të saj lëshuan sallën.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në seancat plenare dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hamza, duke pretenduar se nuk është respektuar aktgjykimi i Kushtetueses dhe se për ndryshimin e praktikës së votimit është dashur konsensus.
Përpara votimit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se kishte zhvilluar konsultime me shefat e grupeve parlamentare dhe se, në mungesë të dakordimit për votim në pako, kandidatët duhet të votohen individualisht.
LVV-ja dhe LDK-ja mbështetën votimin veç e veç, ndërsa PDK-ja kundërshtoi ndryshimin e praktikës parlamentare. Përparim Gruda tha se aktgjykimi kërkon respektimin e praktikës së deritanishme dhe se për ndryshimin e saj nevojitet konsensus.
Në anën tjetër, LDK-ja deklaroi se i mbështet propozimet e partive politike dhe se nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të votuar ose jo kandidatët.
Pas largimit të PDK-së nga salla, procesi i konstituimit mbeti sërish i papërfunduar.