Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Kosova ndodhet para një “urgjence kombëtare” për shpëtimin e shtetit.
Në një reagim të saj, Bajrami ka deklaruar se një nga punët e para të Kuvendit duhet të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.
Sipas saj, personat që shkelin Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e tyre.
“Është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet. Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
