Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vepron me të njëjtën logjikë të bllokimit institucional, siç tha ai, gjatë dy viteve të fundit.
Në një deklarim në TV Dukagjini, Demaku tha se Vetëvendosje vetëm po i ndryshon format dhe momentet e bllokimit, ndërsa më pas gjen mënyra për t’i arsyetuar ato para publikut.
“Në fakt Vetëvendosja veproni në logjikën e njëjta të bllokimit, ashtu siç është duke vepruar që dy vite. Vetëm duke i ndryshuar format, momentet dhe pastaj duke gjetur mënyrat e asaj për tu arsyetuar para publikut. Edhe sot ishte e njëra logjik bllokuese, PDK ishte në Kuvend me përgjegjësinë e saj për të konstituuar Kuvendin, dhe në atë mënyra kemi ecur”, ka thënë Demaku.
Ndërkaq, gjatë vazhdimit të seancës të premten paradite, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, por nuk u zgjodh kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Pas rezultatit të votimit për Çitakun, deputetët e PDK-së lëshuan sallën dhe paralajmëruan se nuk do të merrnin më pjesë në seancat plenare, ndërsa thanë se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.