Jokushtetutshmëria po rrezikon të bëhet normalitet. Shkelja e afateve po trajtohet si pjesë e lojës politike. Bllokimi institucional po pranohet si diçka e zakonshme. Arsyet për mosfunksionim po ndërrohen njëra pas tjetrës. Albin Kurti po e përdor bllokimin si instrument politik. Ky është precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Imer Mushkolaj
Nuk është më vetëm çështje e një kuvendi që nuk po arrin të konstituohet, e as mosmarrëveshje e zakonshme politike mes partive. Ajo që po ndodh në Kosovë ka marrë përmasa shumë më serioze: një parti politike po e përdor shumicën e saj parlamentare si mjet për ta mbajtur peng funksionimin e institucioneve të shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kuvend dhe forca që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve, në vend se ta përdor këtë rezultat për ta funksionalizuar kuvendin, po e përdor për ta bllokuar atë. Tash pengesë janë bërë emrat e kandidatëve nga opozita për nënkryetarë të kuvendit, nesër mund të gjendet një tjetër arsyen, pasnesër një tjetër. Kjo është pjesa më shqetësuese e kësaj historie: kur një subjekt politik vendos që kushtetuta dhe rregullat institucionale vlejnë vetëm atëherë kur i përshtaten interesit të vet, shteti hyn në një zonë të rrezikshme.
Çështja nuk është nëse Vetëvendosjes i pëlqen apo nuk i pëlqen një kandidat për nënkryetar. Nuk është as nëse dikush nga LDK’ja apo PDK’ja është politikisht i pranueshëm për Vetëvendosjen. Kandidatët mund të kritikohen, mund të kundërshtohen politikisht dhe mund të refuzohen nëse ka arsye kushtetuese ose ligjore për këtë. Por, kuvendi nuk mund të shndërrohet në peng të vullnetit të një partie që kërkon të imponojë se kush duhet të jetë në një pozitë që i takon një grupi tjetër parlamentar. Kjo nuk quhet demokraci parlamentare. Quhet bllokadë.
Dhe kur bllokada përsëritet, kur për çdo hap gjendet një arsye e re, kur pengesa të vogla teknike ose politike shndërrohen në çështje madhore shtetërore, atëherë bëhet e vështirë të besohet se e gjitha ështe gjitha është rastësi.
Qartazi bllokimi po përdoret si instrument politik. Qëllimi nuk është vetëm të pengohen LDK’ja dhe PDK’ja në zgjedhjen e kandidatëve të tyre. Qëllimi është të fitohet kohë. Sa më shumë të zgjasë kriza, aq më shumë afrohet koha e zgjedhjeve të reja. Dhe zgjedhjet, natyrisht, nuk janë vetëm çështje kushtetuese. Janë edhe çështje kalkulimi politik.
Në politikë koha ka rëndësi. Një parti që beson se një datë e caktuar zgjedhjesh i sjell avantazh, ka interes që ajo datë të arrihet. Nëse për këtë duhet të shtyhet konstituimi i Kuvendit, të vonohet krijimi i institucioneve dhe vendi e qytetarët të mbahen në pritje, atëherë kemi të bëjmë me një kalkulim që e vendos interesin partiak mbi interesin shtetëror.
* * *
Kosova nuk mund të mbahet peng për shkak të agjendës së një partie. Ajo çfarë e bën edhe më të rëndë situatën është sfidimi i vazhdueshëm i rendit kushtetues. Kushtetuta nuk është rekomandim. Afatet kushtetuese nuk janë sugjerime. Institucionet nuk mund të krijohen kur i konvenon shumicës dhe të shtyhen kur shumica dëshiron të fitojë kohë. Këtu qëndron problemi themelor.
Nëse një parti që ka fituar më së shumti vota e interpreton fitoren si mandat për të bërë çfarë të dojë, atëherë kemi keqkuptuar demokracinë. Fitorja në zgjedhje nuk të jep të drejtën të shpërfillësh rregullat që vlejnë për të gjithë. Përkundrazi, sa më e madhe të jetë përgjegjësia politike, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia për respektimin e Kushtetutës. Por, në Kosovë po ndodh e kundërta.
Jokushtetutshmëria po rrezikon të bëhet normalitet. Shkelja e afateve po trajtohet si pjesë e lojës politike. Bllokimi institucional po pranohet si diçka e zakonshme. Arsyet për mosfunksionim po ndërrohen njëra pas tjetrës, ndërsa shteti vazhdon të presë. Ky është precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Sot mund të jetë nënkryetari i kuvendit, nesër kryetari, pasnesër qeveria e më vonë presidenti. Nëse krijohet bindja se një shumicë politike mund t’i anashkalojë rregullat sa herë që i pengojnë në realizimin e interesave të veta, atëherë nuk kemi më një rend kushtetues funksional. Kemi një sistem ku rregullat ndryshojnë sipas fuqisë së momentit. Dhe kjo është rruga më e shkurtër drejt kapjes së shtetit.
Kosova ka paguar shumë për ta ndërtuar një shtet demokratik. Ka investuar vite, energji dhe sakrifica për të krijuar institucione që funksionojnë mbi ligjin, jo mbi vullnetin e individëve apo partive. Prandaj është absurde që sot, pikërisht nga partia që pretendon se është mbrojtësja më e madhe e shtetit, të vijë një qasje që e dobëson vetë shtetin. Shteti nuk forcohet duke e bllokuar Kuvendin, duke shpikur arsye të reja për shtyrje, duke e përdorur Kushtetutën si instrument selektiv. Shteti nuk forcohet duke i vendosur interesat e partisë mbi institucionet.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për një krizë të pafundme të menaxhuar sipas kalkulimeve elektorale. Ka nevojë për një kuvend që punon, një qeveri që merr përgjegjësi dhe një rend kushtetues që respektohet. Përndryshe, kriza politike shndërrohet në krizë shtetërore.
Një shtet ku ligji respektohet vetëm kur i leverdis pushtetit nuk është i fortë. Një shtet ku kushtetuta mund të anashkalohet për interesa partiake, nuk është funksional. Një shtet ku institucionet mbahen peng për të pritur një datë më të përshtatshme për zgjedhje është në rrugë të gabuar. Kjo nuk është më luftë për një post në kuvend, por është luftë për atë se kush e ka fjalën e fundit: kushtetuta apo partia. Nëse përgjigjja bëhet partia, atëherë problemi nuk është më vetëm Vetëvendosja. Problemi është shteti i Kosovës. Një shtet që e normalizon shkeljen e rregullave të veta, herët a vonë, rrezikon të shndërrohet në atë që askush nuk do ta pranojë: një shtet të dështuar. Jo pse nuk ka kushtetutë, por pse ata që duhet ta respektojnë nuk e përfillin.
