Policia sqaron masat e sigurisë për vendimin në Hagë: Planet policore janë procedura të rregullta

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj shkrimeve që po qarkullojnë në disa media, sipas të cilave Kosova po “blindohet” në prag të vendimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Policia, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur priten zhvillime, aktivitete apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore, njofton Dukagjini.

“Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe me gjërë, ju bëjmë me dije se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka theksuar se masa të tilla janë ndërmarrë edhe gjatë aktiviteteve të mëparshme, duke përfshirë marshin solidarizues paqësor që u mbajt të shtunën e 12 shtatorit.

“Në raste të tilla, sikurse edhe në rastin e marshit solidarizues paqësor të datës 12 shtator 2026, dhe në tubime apo aktivitete të ndryshme, masat planifikohen në funksion të menaxhimit të sigurt të tubimeve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, qarkullimit të trafikut rrugor si dhe garantimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve”, thuhet më tej.

Sipas Policisë, gjatë vlerësimeve dhe planifikimeve merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë t’i shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.

“Këto janë masa parandaluese dhe standarde, të cilat aplikohen varësisht nga numri i pritshëm i pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të situatës”, sqaron Policia.

Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të bazohen vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.

Të fundit nga rubrika