Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 14-18 shtator vendi do të karakterizohet kryesisht nga mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas IHK-së, e hëna do të jetë me diell dhe pjesërisht e vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 9°C, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 24°C.
Të martën priten intervale me diell dhe vranësira, ndërsa në disa pjesë të vendit mund të ketë riga shiu. Temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 11°C në mëngjes dhe nga 19 deri në 24°C gjatë ditës.
Nga e mërkura pritet rritje graduale e temperaturave. Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 28°C.
E enjtja pritet të jetë dita më e ngrohtë e javës, me temperatura maksimale deri në 29°C, ndërsa minimalet do të jenë nga 7 deri në 10°C. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe pjesërisht i vranët.
Të premten temperaturat do të jenë nga 23 deri në 27°C, ndërsa në disa zona të kufizuara mund të ketë ndonjë rigë shiu.
IHK ka njoftuar se kushtet biometeorologjike gjatë kësaj periudhe do të jenë kryesisht të favorshme. Në orët e mëngjesit do të ketë ndjesi freskie për shkak të temperaturave më të ulëta, ndërsa gjatë ditës, veçanërisht nga e mërkura, pritet mot më i ngrohtë.