Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37 mijë e 429 libra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Sipas Kurtit, librat janë shpërndarë për 3 mijë e 686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të tetën.
Kurti ka thënë se kjo mbështetje është realizuar përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, pavarësisht, siç ka deklaruar ai, bllokimit dhe refuzimit nga Serbia të mjeteve të Qeverisë së Kosovës të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ne do të jemi pranë secilit nxënës e secilës nxënëse në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se që nga viti 2022 Qeveria e Kosovës po mbështet pajisjen e nxënësve shqiptarë në këto komuna me libra falas.
“Fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e pengesave të pamerituara e diskriminimit nga Beogradi”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai ka deklaruar se mbështetja për arsimin në gjuhën shqipe do të vazhdojë.
“Shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm”, ka përfunduar Kurti.