Kurti pas dënimeve në Hagë: Padrejtësi e papranueshme, aktgjykimi duhet ndryshuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kurti i ka cilësuar dënimet ndaj tyre si “padrejtësi të papranueshme” dhe ka kërkuar që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e apelit.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk shënon përfundimin e procesit juridik.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se, sipas tij, disa nga pretendimet më të rënda të përfshira në proces nuk janë vërtetuar. Ai ka përmendur pretendimin se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj një popullsie civile, duke thënë se ky pretendim është rrëzuar nga aktgjykimi.

Ai ka shtuar se procesi nuk ishte gjykim për legjitimitetin e luftës së UÇK-së, ndërsa ka thënë se përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte.

“Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel”, ka deklaruar Kurti.

Në reagimin e tij, Kurti ka thënë se Qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë të dënuarit në procesin e apelit.

“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për historinë e luftës në Kosovë dhe rrethanat në të cilat, sipas tij, lindi UÇK-ja. Ai ka përmendur represionin ndaj shqiptarëve të Kosovës, përfshirë përjashtimin nga institucionet, burgosjet, torturat, vrasjet, masakrat dhe dëbimin masiv të popullsisë.

“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia penale në procesin e Dhomave të Specializuara, duke thënë se mekanizmi është përqendruar vetëm te njëra palë e luftës.

Sipas tij, kjo ka krijuar shqetësime lidhur me barazinë para ligjit dhe paanshmërinë.

Në fund, Kurti ka përsëritur se Kosova do të vazhdojë mbështetjen për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin gjatë procedurës së apelit.

“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale”, ka shkruar ai.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo”, ka përfunduar Kurti.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika