Ambasadori Gjerman në Kosovë ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke iu bërë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës sot shpallën aktgjykimin e tyre. Rasti kishte të bënte me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Siç theksoi kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte në gjykim, sikurse as synimi i saj për një Kosovë të pavarur”, thuhet në deklaratën e ambasadorit.
Ambasadori tha se Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga fillimi, duke e konsideruar atë një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, forcimin e sundimit të ligjit dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, me themelimin e Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Kosova ka dëshmuar se po përmbush përgjegjësinë e saj për të trajtuar krimet e luftës si shtet i pavarur dhe sovran.
Ambasadori gjerman theksoi gjithashtu se aktgjykimi “në asnjë mënyrë nuk i shfajëson akterët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve 1990”.
Ai tha se këto krime tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe se ato kanë qenë ndër arsyet që çuan në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.