Djali i Thaçit pas aktgjykimit: Kjo betejë nuk ka mbaruar

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka falënderuar të gjithë shqiptarët që udhëtuan dhe pritën me orë të tëra për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi ka shprehur mirënjohje edhe për ata që vazhduan të protestojnë dhe të shprehin zërin e tyre pas shpalljes së vendimit.

“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit”, ka shkruar ai.

Ai ka falënderuar qytetarët që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë familjes së tij ndër vite.

“Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të Babit dhe shokëve të tij”, ka shkruar Endrit Thaçi.

Ai ka thënë se pas kthimit do t’u bashkohet edhe vetë atyre që po protestojnë, duke theksuar se beteja, sipas tij, nuk ka përfunduar.

“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar”, ka shkruar ai.

Endrit Thaçi ka thënë se, njësoj si babai i tij, edhe ata do të vazhdojnë përpara “me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”.

“Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, ka shkruar Endrit Thaçi

Të fundit nga rubrika