Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reagim të shpejtë dhe institucional nga shteti i Kosovës.
Çitaku ka kundërshtuar deklaratat se vendimi nuk mund ta ndryshojë historinë e Kosovës, duke paralajmëruar se pasojat e tij mund të shihen në vitet e ardhshme nëse institucionet nuk veprojnë.
“Ani ‘vendimi nuk e ndryshon historinë e Kosovës’, po thonë disa. Flasim pas 3 apo 4 vitesh sa mund ta ndryshojë, nëse ne sot nuk veprojmë shpejt”, ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, aktgjykimi e ka paraqitur UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ndërsa ka pretenduar se verdikti është ndërtuar mbi një narrativë kolektive.
“Edhe një herë, ta kemi krejt të qartë: dje UÇK-ja u shpall ndërmarrje e përbashkët kriminale, në emër të popullit. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar puna e mbrojtjes gjatë procesit, duke përmendur edhe dëshmitë e Wesley Clark, James Rubin dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes.
Çitaku e ka cilësuar verdiktin si “drakonik” dhe ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë shpejt dhe në mënyrë institucionale.
“Është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht”, ka shkruar ajo.
“Sepse historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë. Nuk ka kohë për dorëzim”, ka përfunduar Çitaku.