Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me qëndrimin për vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeparlamentari, Niko Peleshi, në fjalën hapëse u shpreh se Kuvendi do të japë një deklaratë që po punohet në Komisionin për Çështjet Europiane.
Mes tjerash, Peleshi u shpreh se vendimi dënues ndaj katërshes së UÇK-së është i dhimbshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.
“Të nderuar kolegë. Para se të fillojmë me rendin e ditës, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim. Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës”, tha ndër të tjera Peleshi.
Kujtojmë se pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri sot kanë shkuar në parlament me simbole të UÇK-së në veshjet e tyre.
Vendimi është marrë si një shprehje solidariteti me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe me Kosovën, në një moment të ndjeshëm pas vendimit të gjykatës.
Pas vendimit të Gjykatës së Hagës, deputetë të PD-së me simbolet e UÇK-së në Parlament