Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se do të takohet me liderët e subjekteve politike pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas mbledhjes së PDK-së, Hamza tha se kjo çështje nuk i takon vetëm një subjekti politik dhe se nevojitet bashkëpunim ndërmjet partive për të arritur konsensus.
“Unë besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik. Besoj në bashkëpunimin mes partive politike dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi Hamza.
Ai tha se PDK-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të qenë në komunikim me subjektet e tjera politike, duke e cilësuar situatën si të ndjeshme dhe serioze.
“PDK do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës”, tha ai.
Hamza u shpreh se aktgjykimi i djeshëm është i padrejtë, i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në fakte, duke pretenduar se ai dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sot, PDK ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Hamza.
Sipas tij, kjo situatë duhet të trajtohet përmes bashkëpunimit politik dhe një qëndrimi të përbashkët ndërmjet subjekteve politike.