Elshani kërkon që në shkollat e Prishtinës të vendoset edhe flamuri i UÇK-së

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se ka kërkuar zyrtarisht nga të gjitha shkollat e kryeqytetit që, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, në hyrjet e tyre të vendoset edhe flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një postimi në Facebook, Elshani ka thënë se kërkesa është bërë në cilësinë e tij si Drejtor i Arsimit.

“Sot, si Drejtor i Arsimit, kam kërkuar zyrtarisht nga të gjitha shkollat e Kryeqytetit që, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, në hyrjet e tyre të vendoset edhe flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Elshani.

Në shkresë thuhet se UÇK-ja është “pjesë e pandashme e historisë së çlirimit të Kosovës”, ndërsa lufta dhe sakrifica e saj për lirinë e vendit përshkruhen si një kapitull i rëndësishëm i historisë së Kosovës dhe i kujtesës kolektive.

“Institucionet arsimore nuk janë vetëm hapësira ku nxënësit marrin dije, por edhe vende ku formohet kujtesa historike dhe qytetare e brezave të rinj. Për këtë arsye, është e rëndësishme që në hapësirat tona shkollore të pasqyrohet edhe historia e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë”, thuhet në dokument.

Drejtoria e Arsimit u ka kërkuar drejtorëve të shkollave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për vendosjen e flamurit të UÇK-së në hyrjen kryesore të shkollave, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, duke respektuar rregullat përkatëse institucionale dhe protokollare.

Po ashtu, në shkresë kërkohet që zbatimi i kësaj kërkese të bëhet “në mënyrë dinjitoze dhe të njëtrajtshme” në të gjitha institucionet arsimore publike të Kryeqytetit.

Të fundit nga rubrika