Profesori dhe avokati britanik Geoffrey Nice ka deklaruar se që nga publikimi i Raportit të Dick Martyt kishte tregues, sipas tij, se Gjykata Speciale mund të ishte e ndikuar nga objektiva politike.
Nice, ish-prokuror në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ka thënë se është marrë me këtë çështje për rreth 15 vjet dhe se fillimisht ishte angazhuar në mënyrë të pavarur, nga një revistë letrare.
Ai ka thënë se gjatë hulumtimit të tij kishte arritur në përfundimin se në zhvillimet që lidhen me Raportin e Martyt kishte elemente që, sipas tij, nuk ishin thjesht juridike.
“Kam arritur në përfundimin se kishte diçka befasuese dhe ndoshta politike, e jo thjesht juridike, në atë që po ndodhte me Raportin e Martyt”, ka deklaruar Nice për T7.
Sipas tij, raporti, i cili iu referua Këshillit të Evropës, përmbante pretendime se Hashim Thaçi dhe persona të tjerë kishin qenë të përfshirë në marrjen me forcë të organeve.
“Që nga ai moment, kishte tregues se kjo gjykatë ishte politike, në kuptimin se drejtohej nga objektiva politike që nuk ishin të qarta”, ka thënë ai.
Duke komentuar aktgjykimin e shpallur një ditë më parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Nice ka thënë se dokumenti i publikuar deri tani është një përmbledhje dhe se për një analizë më të plotë duhet pritur aktgjykimi i plotë.
Sipas tij, përmbledhja e aktgjykimit bën pohime kategorike, por nuk identifikon në mënyrë konkrete provat që lidhen të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata ka konstatuar se janë provuar.
Nice ka theksuar gjithashtu se një pjesë e madhe e materialeve të çështjes është trajtuar në seanca të mbyllura, çka, sipas tij, e vështirëson analizën e plotë të aktgjykimit.
“Do të na duhet të presim një kohë të gjatë edhe për versionin e redaktuar të aktgjykimit të plotë”, ka thënë ai.
Nice ka shtuar se, për shkak të sasisë së madhe të provave të paraqitura në seanca të mbyllura, versioni i plotë dhe i qasshëm për publikun mund të mos jetë në dispozicion për një periudhë shumë të gjatë.
“Aktgjykimi i plotë, për shkak të sasisë së madhe të provave që janë paraqitur në seanca të mbyllura, mund të mos jetë i disponueshëm për publikun e gjerë për dhjetëra, apo ndoshta edhe njëqind vjet. Thjesht nuk e dimë”, ka deklaruar Nice.
