Djemtë e Thaçit dhe Veselit në protestë: Populli është me UÇK-në

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka falënderuar sërish popullin shqiptar për mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se UÇK-ja është e pastër.

Ai gjatë protestës që po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka falënderuar edhe mediat për bashkëpunimin dhe punën e tyre gjatë raportimit për zhvillimet e fundit.

“Dua t’i falënderoj të gjithë popullin shqiptar për mbështetje, jemi falënderues shumë. Populli është me UÇK-në, ushtria është e pastër”, deklaroi Thaçi.

Në protestë po merr pjesë edhe Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së, Kadri Veseli.

Ai tha se pajtohet me deklaratën e Endrit Thaçit dhe u bëri thirrje gazetarëve që të dëgjojnë qytetarët e mbledhur në protestë.

“Nuk kam asgjë me shtu prej asaj që e tha Endriti. Ju ftoj t’i drejtoni mikrofonat, dëgjojeni popullin çka thotë”, tha Veseli para gazetarëve.

Të fundit nga rubrika