Protestë gjithëpopullore mbahet sot në Prishtinë, e thirrur nga organizatat e dala nga lufta, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, në kuadër të veprimeve të organizatave të dala nga lufta për të kundërshtuar aktgjykimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së.
Vendimi për protestën u mor të enjten në një mbledhje ku organizatat diskutuan hapat e mëtejmë pas aktgjykimit të Speciales në Hagë.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, bëri të ditur se është vendosur që të thirret protestë gjithëpopullore.
“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.
Syla bëri të ditur edhe krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku, sipas tij, do të përfshihen edhe Shqipëria dhe shqiptarë nga viset e tjera.
“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, kishte thënë Syla dje.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, u bëri thirrje familjeve të dëshmorëve që të reagojnë.
“Një vendim që, përveç që ishte i turpshëm për drejtësinë ndërkombëtare dhe botërore, e cila nxori një vendim në bazë të pretendimeve, jo vetëm që goditi figurat, por goditi luftën e UÇK-së, goditi rëndë edhe vetë shtetësinë e Kosovës.Organizatat e dala nga lufta qëndrojnë fort në vendimet dhe qëndrimet e tyre, që nga fillimi, kur e kemi kundërshtuar një gjykatë të tillë. Por, për të mos i përsëritur gjërat, unë, si udhëheqës i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, do t’u bëja thirrje edhe familjeve që të reagojnë”, tha Jashari.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është bërë thirrje që protesta të jetë e qetë dhe paqësore.