Dy javë pasi Serbia e hapi një fabrikë që prodhon robotë të projektuar nga Kina, ushtria serbe ka shfaqur robotë të armatosur katërkëmbësh duke vepruar së bashku me ushtarët gjatë një stërvitjeje të madhe ushtarake.
Përdorimi i robotëve më 13 shtator erdhi pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u zotua më 29 gusht se robotët e armatosur, të projektuar nga Kina dhe që do t’i shërbenin ushtrisë së Beogradit, do të shiheshin “brenda 15 ditësh” nga hapja e fabrikës së robotëve në Shabac, në Serbinë perëndimore.
Robotët e armatosur katërkëmbësh ngjajnë me modelin D1 Max Pro, një robot industrial i prodhuar nga kompania kineze AgiBot, e cila është partnere në fabrikën e Shabacit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse robotët e shfaqur gjatë stërvitjes janë montuar në Serbi. Ushtria serbe nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se ku janë prodhuar qentë robotë.
Sipas raportimeve, robotët katërkëmbësh të përdorur gjatë stërvitjes ushtarake “Victor 2026” në jugperëndim të Serbisë ishin të armatosur me raketa antitanke “Wasp”, të dizajnuara në Jugosllavi, pushkë automatike dhe granatahedhës 40-milimetërsh. Pamjet tregojnë robotët katërkëmbësh duke qëlluar me një armë automatike dhe duke hyrë në një ndërtesë të improvizuar, ndërsa ushtarët lëvizin përkrah tyre.
Fabrika e robotëve në Shabac synon t’i prodhojë 3.000 robotë humanoidë dhe katërkëmbësh në vit, dhe pamjet nga stërvitja ushtarake kanë ngritur shqetësimin për shfaqjen e ushtrive me qen robotë vrasës nga Ballkani. Por, sipas vëzhguesve, kjo nuk duket e mundshme në një të ardhme të afërt.
“Serbia me gjasë do të përballet me të njëjtat probleme që i kanë shtyrë ushtritë ta rishqyrtojnë përdorimin e qenve robotë”, tha për Radion Evropa e Lirë Jared Keller, ekspert amerikan i teknologjisë së armëve.
“Krahasuar me platformat e tjera pa ekuipazh, robotët katërkëmbësh duhet të zhvillohen akom më shumë” për t’i tejkaluar problemet që lidhen me besueshmërinë dhe rrezen e veprimit, shtoi ai.
Ushtria ukrainase mori vëmendje të gjerë pasi publikoi në gusht të vitit 2024 të dhëna për përdorimin e qenve robotë nga ushtarët e saj. Por, gjatë dy vjetëve që pasuan, robotët janë parë rrallë në fushëbetejë. Gjatë së njëjtës periudhë, dronët tokësorë me rrota janë përdorur gjerësisht nga trupat në vijën e frontit.
Një përfaqësues i Brave1, nismës ukrainase që qëndron pas shumë prej inovacioneve të vendit në fushën e luftimit, i tha Radios Evropa e Lirë se dronët me rrota “mund të jenë më të përshtatshëm [se robotët katërkëmbësh] për disa misione për shkak të ngarkesës që mund të mbajnë, autonomisë dhe faktit se mund të përdoren për misione në distanca të gjata”.
Brave1 nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse robotët katërkëmbësh janë hequr gradualisht nga përdorimi në luftën e Ukrainës, por tha se “platformat me këmbë mund të ofrojnë avantazhe në terrene të vështira ose pranë pengesave”.
Një dron tokësor ukrainas me rrota, i quajtur “Merimanga”, i përdorur nga ushtria e vendit, peshon 50 kilogramë, por është në gjendje ta mbajë një ngarkesë prej 100 kilogramësh. Për krahasim, një robot i përparuar katërkëmbësh me të njëjtën peshë si “Merimanga” është në gjendje t’i mbajë vetëm 10 kilogramë. Beogradi ka deklaruar se “qeni i tij robot” ka një kapacitet maksimal ngarkese prej 50 kilogramësh.
Qentë robotë janë shumë më kompleksë mekanikisht sesa dronët me rrota, pasi secili robot katërkëmbësh ka nevojë për rreth 12 motorë të veçantë, së bashku me një grup kompleks sensorësh. Ky kompleksitet mekanik shpenzon bateritë, rrit mundësinë e prishjeve dhe shton kosto teknologjike. Robotët katërkëmbësh kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë dhe do të ishin shënjestër e lehtë për dronët e lirë sulmues.
Zbulimi nga Serbia i teknologjisë së robotëve katërkëmbësh vrasës vjen në një kohë kur Beogradi po përfshin gjithnjë e më shumë sisteme të avancuara kineze të armëve në arsenalin e ushtrisë së tij, përfshirë sisteme raketore dhe dronë ajrorë. Gati 60 për qind e importeve të armëve të Serbisë gjatë viteve 2020-2024 erdhën nga Kina.
Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se kanë shqetësime të shtuara për atë që Pekini dhe Beogradi e quajnë “miqësi të çeliktë”.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Shërbimit të Ballkanik të Radios Evropa e Lirë se “mundësitë e ardhshme ekonomike të Serbisë do të varen në masë të madhe nga investimet, vendimet politike dhe zgjedhjet për partneritet që ajo bën sot”.
Zëdhënësi i bëri thirrje më tej Beogradit të zgjedhë “burime dhe furnizues të besueshëm të pajisjeve dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale” dhe të zgjedhë “partnerë të besueshëm, si Shtetet e Bashkuara”.
Keller thotë se shfaqja publike nga Serbia e robotëve katërkëmbësh vrasës mund të ketë të bëjë më shumë me perceptimin gjeopolitik sesa me strategjinë reale të luftimit.
“Udhëheqësit e nivelit të mesëm shpesh nxjerrin në pah armë të avancuara për të sinjalizuar aftësitë teknologjike, edhe kur këto sisteme nuk mbështeten gjithmonë nga taktika dhe doktrina të përcaktuara, të cilat janë themeli i operacioneve reale”, tha ai.
