Policia e Kosovës ka ndaluar për kontroll dy persona në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë, pasi një automjet me targa të Serbisë është përzgjedhur për kontroll të vijës së dytë, mbi bazën e dyshimit.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar pesë thika, dy prej të cilave taktike/luftarake, një kamerë GoPro me mbajtës, dy bluza me simbole dhe mbishkrime nacionaliste, si dhe dy pajisje multifunksionale.
Sipas Policisë, në automjet janë gjetur edhe një flamur i Serbisë, një vulë me katër shkronja “S” dhe mbishkrimin “Udruzenje Ljubitelja Srednjovekovnih Borilackih Sportova, Sremski Karlovci”, si dhe një kartë identiteti.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me autorizimin e të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.
Dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.