Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zbuluar se kishte biseduar me Amir Rrahmanin para se kapiteni ta bënte publik vendimin e tij për t’u larguar nga Kombëtarja në rrethanat aktuale.
Foda tha se Rrahmani e kishte kontaktuar personalisht dhe se gjatë bisedës kishte tentuar ta bindte që të ndryshonte mendje.
“Më ka kontaktuar Amir Rrahmani. Kemi biseduar. Detajet mbesin mes nesh. Kam tentuar t’ia ndryshoj mendjen dhe nuk kam mundur. Ai mori vendimin dhe ne duhet ta pranojmë. I dëshirojmë çdo të mirë në të ardhmen”, deklaroi Foda.
Përzgjedhësi nuk dha detaje të tjera nga biseda, duke theksuar se ato do të mbeten mes tij dhe Rrahmanit.
Rrahmani kishte njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa Federata e Futbollit e Kosovës udhëhiqet nga personat aktualë.
Në deklaratën e tij, kapiteni ngriti shqetësime për probleme dhe ankesa që, sipas tij, kishin mbetur pa zgjidhje për vite, ndërsa pretendoi se për më shumë se dy vjet ishte përballur edhe me sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara.
Vendimi i Rrahmanit hapi një debat të madh në futbollin kosovar dhe ngriti pikëpyetje rreth raportit të kapitenit me drejtuesit e FFK-së.
Deklarata e Fodës konfirmon se ai ishte në dijeni të situatës para se vendimi të bëhej publik dhe se kishte tentuar ta bindte Rrahmanin të vazhdonte me Kosovën, por pa sukses.
Rrahmani e ka kushtëzuar rikthimin e tij në Kombëtare me ndryshimin e drejtimit aktual të FFK-së.