Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për vendimin e Florent Hadërgjonajt për të mos qenë në dispozicion të Kombëtares nën drejtimin e stafit aktual teknik.
Foda ka thënë se Hadërgjonaj nuk e kishte kontaktuar dhe se për vendimin e tij kishte mësuar përmes mediave.
“Hadërgjonaj nuk më ka kontaktuar. Vendimin e tij e mësova përmes mediave. Vendimin e tij e pranoj. Të gjithë lojtarëve që i ftoj ua ofroj besimin e plotë dhe i përkrah. Nuk e kuptoj arsyen pse ai është tërhequr nga Kombëtarja, por duhet ta pranoj vendimin e tij”, ka thënë Foda.
Tekniku gjerman theksoi se fokusi tani duhet të jetë te futbollistët që janë në dispozicion të Kosovës.
“Është shumë me rëndësi të fokusohemi te lojtarët që i kemi në dispozicion. Ai që është i pranishëm duhet të luajë me zemër për Kosovën dhe të jetë i uritur për të dhënë maksimumin. Secili duhet ta pranojë që kur ftohet mund edhe të mos luajë”, shtoi Foda.
Hadërgjonaj kishte bërë të ditur ditë më parë se, për momentin, nuk do të jetë në dispozicion të Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik.