Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 172 raste me fruth në Kosovë.
Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar shtatë raste të reja.
Të dhënat e institutit tregojnë se më shumë se 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
IKShPK ka bërë të ditur se, përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të vaksinimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.
Gjatë këtij viti, sipas institutit, më shumë se 3,176 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit “catch-up”.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është masa më e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga fruthi.
Instituti ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë në rritjen e përfshirjes në vaksinim dhe në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.