Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë është mbyllur zyrtarisht, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në kuadër të riorganizimit dhe optimizimit të resurseve diplomatike dhe konsullore të Kosovës në këtë shtet.
“Bazuar në Dekretin Nr. 150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit përcjellës Nr. Ref. 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Sipas Ambasadës, mbyllja e konsullatës është bërë pas vlerësimit të dinamikës së misionit konsullor dhe synon përshtatjen e strukturës diplomatike me qëllimet dhe nevojat institucionale.
Megjithatë, prania e Kosovës në Strugë do të ruhet përmes zyrës së Konsullit të Nderit, i cili do të vazhdojë të ketë juridiksion konsullor në këtë qytet.
Ndërkaq, shërbimet konsullore për shtetasit e Kosovës në territorin e Maqedonisë së Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Kosovës në Shkup.