Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, të raportuara në Prishtinë dhe Graçanicë.
Në rastin e parë, sipas Policisë, më 22 shtator 2026, në pikën kufitare në Stanqiq është ndaluar një person, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte i kërkuar nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.
“Me 22.09.2026 në pikën kufitare Stanqiq është ndaluar i dyshuari/kërkuari mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për kryerje të veprës penale të lartcekur”, thuhet në raportin policor.
Sipas Policisë, pas ndalimit të tij është kontaktuar prokurori dhe, me vendim të tij, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej në raport.
Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në Graçanicë, ku në një objekt janë gjetur grafite me përmbajtje që, sipas Policisë, nxisin urrejtje.
“Raportohet se në një objekt janë hasur grafite me përmbajtje që nxisin urrejtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë rast, Policia ka bërë të ditur se është kontaktuar prokurori, i cili ka dhënë udhëzime për veprimet e mëtejshme.
“Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori, me udhëzimin e të cilit është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin policor.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me përmbajtjen e grafiteve apo identitetin e personave të dyshuar në rastin e Graçanicës.