Xi Jinping, Vladimir Putin, Friedrich Merz, Giorgia Meloni, Mahmoud Abbas: Më shumë se 50 krerë shtetesh dhe qeverish mungojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Arsyet e dhëna ndryshojnë shumë.
Burrështetasit si Donald Trump, Rexhep Tajip Erdogan apo Emmanuel Macron duan të shfrytëzojnë skenën e madhe botërore për të prezantuar qëndrimet e tyre: Në Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – ose shkurt UNGA81 – krerët e shteteve dhe qeverive të botës mblidhen në në East River të Nju Jorkut, ku është përqendruar vëmendja globale.
Por ka dhe shumë presidentë e kryeministra që mungojnë këtë vit.
Gjermania: Friedrich Merz
Kancelari Merz në fakt do të donte të ishte shumë më i pranishëm në skenën ndërkombëtare. Por politika e brendshme po i pengon planet e tij në vitin e dytë në detyrë: Tre lande gjermane mbajtën zgjedhje për parlamentet në shtator. Ndërsa Merz si Kancelar dhe udhëheqës i CDU-së, pas humbjeve të mëdha, është nën presion të madh. Në Saksoni-Anhalt dhe Berlin, CDU humbi pushtetin. Ndërsa në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, CDU nuk kaloi as pragun zgjedhor – diçka e paprecedentë në historinë e Republikës Federale. Prandaj, Merz duhet të menaxhojë krizat, kritikat dhe revoltën. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul ka shkuar dhe do të flasë në vend të tij.
Italia: Giorgia Meloni
Kryeministrja italiane Meloni është në një pozicion shumë më të sigurt se Merzi. Megjithatë, ajo ka deklaruar se është e nevojshme që këtë javë të adresojë çështjet e brendshme: Pas samitit të NATO-s në fillim të korrikut, Meloni deklaroi se po kthehej nga disa samite ndërkombëtare dhe kishte një detyrim të adresonte çështje të ndryshme, përfshirë ato në Itali. Ajo bëri të ditur se në OKB do të dërgojë Ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani.
Afrika e Jugut: Cyril Ramaphosa
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa mori pjesë së fundmi në një samit ndërkombëtar: samitin e BRICS në Indi. Ndërsa mungesa e tij nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është për shkak të arsyeve shëndetësore. Ramaphosa është këshilluar nga mjekët të pushojë dhe shërohet, thuhet nga zyra e tij, por pa zbuluar se cilat janë problemet e tij shëndetësore. Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, do t’i drejtohet gjithashtu OKB-së.
Egjipti: Abdel Fattah al-Sisi
Përveç Afrikës së Jugut as dy vendet e tjera me ekonominë më të madhe të Afrikës nuk do të kenë në OKB presidentët e tyre: Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi do të përfaqësohet nga Kryeministri Mostafa Madbouly. Zyra e tij nuk dha një arsye për këtë. Në vitet e para në detyrë, duke filluar nga viti 2014, Sisi mori pjesë rregullisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në vitin 2020, eventi u mbajt në internet për shkak të pandemisë COVID-19. Vitin tjetër u zhvillua një takim përmes internetit, ku Sisi kontribuoi me një video-mesazh të regjistruar paraprakisht. Ndërsa kur Asambleja e Përgjithshme u rikthye në takimet me prezencë, Sisi nuk mori pjesë më.
Nigeria: Bola Tinubu
Afrikani i tretë me ndikim që nuk merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë vit është Presidenti nigerian Bola Tinubu. Zëdhënësi i tij citohet në mediat nigeriane të ketë thënë se kombi i Afrikës Perëndimore do të “përfaqësohet plotësisht dhe në mënyrë efektive” nga Zëvendëspresidenti Kashim Shettima. Ndërkohë, Tinubu është me pushime. Që nga fundi i gushtit, ai ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më vonë udhëtoi për në Francë.
India: Narendra Modi
Kryeministri indian Narendra Modi foli për herë të fundit në podium në Nju Jork në vitin 2021. Që atëherë, demokracia me numrin më të madh të banorëve në botë ka dërguar gjithmonë Ministrin e saj të Jashtëm, Subrahmanyam Jaishankar në OKB. Sipas mediave indiane, Modi ishte madje në listën e folësve të këtij viti. Por nuk ka shkuar atje, e arsyeja për ndryshimin e planeve nuk dihet.
Kina: Xi Jinping
Mungesa e Presidentit Kinez Xi Jinping këtë vit lë shumë hapësirë për interpretim. Ndërsa Nju Jorku po mban “Javën e nivelit të lartë”, Xi Jinping do të udhëtojë përtej Paqësorit në Shtetet e Bashkuara – konkretisht në Uashington, D.C., rreth 300 kilometra më larg, për një vizitë bilaterale shetërore. Është parashikuar edhe një darkë gala në Shtëpinë e Bardhë dhe një paradë ushtarake. Në këtë rast Pekini po i jep përparësi të qartë diplomacisë bilaterale ndaj multilateralizmit të Kombeve të Bashkuara. Xi dhe Trump kanë çështje të shumta mosmarrëveshjeje, të tilla si marrëdhëniet e tyre tregtare, transparenca në lidhje me inteligjencën artificiale dhe situata e sigurisë përreth Tajvanit.
Rusia: Vladimir Putin
Presidenti rus Vladimir Putin është shfaqur në podiumin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pothuajse aq rrallë sa edhe Xi Jinping. Prandaj, nuk është çudi që Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov është planifikuar të flasë përsëri në emër të Federatës Ruse këtë vit. Putin e dekretoi Lavrovin madje me urdhër që të flasë këtë vit, por pa dhënë një arsye.
Territoret palestineze: Mahmoud Abbas
Mahmoud Abbas ka shumë më tepër përvojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së sesa çdo individ i lartpërmendur. Presidenti i Autoritetit Palestinez, i cili është në detyrë që nga viti 2005, ishte një figurë e përhershme në Asamblenë e Përgjithshme – deri në mandatin e dytë të Donald Trump. Administrata e Trump i mohoi Abbasit një vizë diplomatike vitin e kaluar dhe këtë vit. Amerika në fakt është e detyruar sipas Marrëveshjes së vitit 1947 t’u japë përfaqësuesve të huaj qasje në selinë e OKB-së. Kjo është arsyeja pse Presidenti iranian Massoud Peseshkian lejohet të flasë në Nju Jork, edhe pse SHBA-të bombarduan së fundmi vendin e tij.
Në rastin e palestinezëve, Departamenti i Shtetit i SHBA-së lëshoi së fundmi një deklaratë duke zgjeruar sanksionet “që u mohojnë vizat anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Autoritetit Palestinez”. Abbas synon t’u drejtohet krerëve të shteteve dhe qeverive të mbledhur në auditor nëpërmjet një video-mesazhi, siç bëri një vit më parë./DW/
