Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar heroin Afrim Bunjaku në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Abidixhiku ka vlerësuar lartë Bunjakun duke thënë se i ra përballë një akti të rëndë agresioni ndaj Republikës së Kosovës, duke mbrojtur atë që është e jona tokën, rendin, sigurinë dhe shtetin, njofton Dukagjini.
“Më 24 shtator 2023, në Banjskë, Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës nga një grup terrorist i organizuar, i armatosur dhe i mbështetur nga Serbia. Ai ra përballë një akti të rëndë agresioni ndaj Republikës së Kosovës, duke mbrojtur atë që është e jona: tokën, rendin, sigurinë dhe shtetin tonë. Afrimi nuk u tërhoq. Nuk u dorëzua. Ai qëndroi aty ku e kërkonte detyra dhe aty ku mbrohej Republika. Në momentin më të vështirë, ai zgjodhi të bëjë atë që bëjnë burrat dhe gratë e këtij shteti në uniformë: të mbrojnë qytetarin dhe atdheun, pavarësisht çmimit. Sot, emri i Afrim Bunjakut është më shumë se një emër i skalitur në historinë e Policisë së Kosovës. Ai është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet, i institucioneve që nuk përkulen para dhunës dhe i një Kosove që nuk frikësohet nga askush. Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik”.
Tutje, Abdixhiku thotë se sakrifica e Bunjakut do të mbetet e gjallë dhe jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.
“Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.
Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”, ka shkruar Abdixhiku.
