Konjufca në New York: Vendimi i Hagës është padrejtësi, duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës së UÇK-së

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se vendimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën e çlirimit dhe lirisë së Kosovës.

Konjufca këto deklarata i bëri në New York, ku mori pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve të komunitetit shqiptar dhe personaliteteve të shumta nga jeta publike.

Duke folur për aktgjykimin e Hagës, Konjufca tha se kjo çështje nuk lidhet vetëm me fatin individual të ish-krerëve të UÇK-së, por edhe me kauzën për çlirimin e Kosovës.

“Vendimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri.”

Ai theksoi se, sipas tij, kjo padrejtësi duhet të korrigjohet, ndërsa duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës së UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja.

“Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja.”

Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi edhe kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare kanë punuar për dekada për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për Kosovën.

Ai tha se kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë është i lidhur drejtpërdrejt me rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.”

Konjufca foli edhe për situatën institucionale në Kosovë, duke bërë thirrje për stabilitet institucional dhe demokratik, përgjegjësi politike dhe reflektim.

Ai kërkoi që interesi shtetëror dhe kombëtar të vendoset mbi interesat e ngushta partiake, veçanërisht në një periudhë që e cilësoi si kohë sfidash të mëdha.

“Kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve mbeten thelbësore.”

Në përmbyllje, Konjufca falënderoi AARC-në për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara me vendet tona.

Të fundit nga rubrika