Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë këtë javë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Sipas agjendës të Komisionit Evropian, vizitën në rajon von der Leyen do ta nisë të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë, ku do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama.
Të enjten, më 1 tetor, ajo do të vazhdojë vizitën në Prishtinë, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas Kosovës, von der Leyen do të udhëtojë drejt Podgoricës, ku do të takohet me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministrin Milojko Spajiq.
Turneun në Ballkanin Perëndimor ajo do ta përfundojë të premten, më 2 tetor, në Shkup, ku do të zhvillojë takime me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se gjatë vizitës, von der Leyen do të diskutojë me liderët e rajonit për hapat e mëtejshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe progresin në integrimin gradual, ndërsa do të vizitojë edhe projekte të financuara nga BE-ja.
Vizita në Ballkanin Perëndimor do të zgjasë nga 30 shtatori deri më 2 tetor. Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk janë pjesë e këtij turneu.
Komisioni Evropian ka thënë se von der Leyen synon t’i vizitojë këto dy vende në një datë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme atje. (Audiovisual Service)