Peticioni me 14,140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt “Për një Ferizaj pa Urosevac”, është dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Dorëzimi i tij është bërë pikërisht në Ditën e dëshmorëve të Ferizajt.
Iniciatori i peticionit, Bashkim Fazliu, tha se nisma ka marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve politike në Komunën e Ferizajt, përfshirë kryetarin e komunës dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Sipas tij, dorëzimi në Kuvend shënon kalimin e peticionit në fazën e shqyrtimit institucional, me synimin që kërkesa për ndryshimin e emërtimit të trajtohet nga institucionet kompetente.
“Ne sot, në këtë ditë shumë të rëndësishme për qytetin e Ferizajt, më 28 shtator 2026, në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt, nën respekt për të gjithë të rënët për liri dhe pavarësi, sot po e dorëzojmë zyrtarisht peticionin për një Ferizaj pa Uroševac në Kuvend të Kosovës. Siç e dini, këtë peticion e kemi filluar më 18 korrik dhe ashtu është datë me rëndësi në, edhe sot në Ditën e Dëshmorëve po e dorëzojmë në fazë të parë për shqyrtim miratim nga Kuvendin i Kosovës ”, shtoi Fazliu./EO